
Rezistenca e banorëve ndër vite
Banorët e fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, të ndodhura në afërsi të “Rrugës së Kombit”, si pjesë e njësisë administrative Fan në bashkinë Mirditë, protestuan në prill të vitit 2021 kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve dhe një fabrike uji. Kompania që po ndërtonte HEC-in në Thirrë të Mirditës, “Sang 1” SH.P.K mori licencën me një vendim të 26 qershorit të vitit 2019 për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar. Banorët nuk u thirrën në dëgjesa publike asokohe nga kompania. Mes të tjerash ata denoncuan edhe faktin se kompania kishte falsifikuar firmat e tyre. Në shkurt të 2023-it, gjykata administrative e shkallës së parë në Tiranë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Thirrë të Mirditës. Edhe pse një çështje në proces gjykimi, punimet vijonin dhe si rrjedhojë edhe shfrytëzimi i burimeve ujore të zonës. Banorët iu drejtuan gjykatës administrative për shfuqizimin e lejes për përdorim të burimeve ujore, të dhënë nga Këshilli i Basenit Ujor Mat. Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor lejet e shfrytëzimit të burimeve ujore e përfunduan afatin dhe gjykata arsyetoi se nuk mund të shfuqizonte një akt që nuk ka më fuqi. Në mars të vitit 2022, ata i drejtuan një kërkesë prefektit të qarkut Lezhë, Këshillit të Basenit Ujor Mat, bashkisë Mirditë dhe njësisë administrative Fan, ku kërkuan pajisjen e njësisë administrative Fan me leje për përdorim të burimit ujor për ujë të pijshëm, për vaditje dhe për blegtori. Kjo kërkesë sipas banorëve nuk u mor parasysh, pasi institucionet e rinovuan lejen e përdorimit të ujit ndaj shoqërisë “Sang 1 sh.p.k”, gjatë kohës që çështja ishte në gjykim. Në shtator të 2023-it, zyra e përmbarimit në Lezhë zbatoi vendimin e gjykatës administrative të apelit të datës 15 qershor të 2023 për pezullimin e punimeve për HEC-in dhe për fabrikën e përpunimit të ujit. Në shkurt 2024, kompania rifillon punimet me arsyetimin se ka një vendim të Gjykatës së Lartë për të kthyer për rishqyrtim vendimin e gjykatës së apelit që pezulloi punimet. Por ky vendim, ashtu sikurse të tjera dokumente ligjore nuk i janë venë në dispozicion bashkisë Mirditë, banorëve dhe zyrës përmbarimore Lezhë. Në mars 2024, banorët ngritën një çadër në formë proteste për të kundërshtuar vijimin e punimeve për këtë hidrocentral. Citizens Channel