Lajme nga vendi

Fituesi i tenderit 393 mln euro për Porto Romanon shpallet në 31 janar

Fituesi i tenderit 393 mln euro për Porto Romanon shpallet në 31 janar

Fituesi i tenderit 393 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano do të shpallet më 31 janar të vitit të ardhshëm. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e vënë në qendër të një furtune mediatike për shkak të lajmeve se është thirrur në SPAK për komunikim akuze, njoftoi se menjëherë pas shpalljes së fituesit do të nisë dhe puna për ndërtimin e portit.

“Tek ne prezantonim publikisht këtë projekt, nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova kërkuan që të ishin pjesë e këtij projekti, duke përfituar jo sic sot, edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut e përdorin Portin e Durrësit, por duke qenë e mundur krijimi i një lidhjeje me dy porte të thata. Projekti fillimisht nga qeveria e mëparshme e Maqedonisë së Veriut ka qenë për në Strugë, por më pas vetë qeveria maqedonase e ndryshoi, duke e kërkuar në Shkup, në kryeqytet, dhe një port tjetër i thatë në zonën e Prishtinës. E thënë kjo, e gjithë procedura ndërkombëtare ka qenë transparente, ka pasur disa faza të saj për përzgjedhjen e konsulencës dhe më pas për projektin, dhe sot praktikisht kemi arritur në fazën e fundit të përfundimit të projektit për ndërtimin e këtij porti. 5 kompani të huaja kanë garuar dhe më 31 janar ne do të kemi fituesin për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit, i dalë nga një garë ndërkombëtare, e cila është udhëhequr nga kompania “Royal Haskoning” me pjesëmarrjen e të gjithë atyre departamenteve nga Autoriteti Portual i Portit të Durrësit që ligjërisht i takojnë këtij procesi”.

Sipas Ballukut, punimet për ndërtimin e portit do të zgjasin tre vjet dhe në vitin 2029, Shqipëria do të ketë funksional portin e ri në Porto Romano.

“Porti i ri, që do të ndërtohet, parashikohet të jetë gjithashtu edhe një bazë e NATO-s, e vendosur në zemër të Mesdheut dhe padyshim në Shqipëri si aleati më besnik i kësaj force të jashtëzakonshme bashkësie. Për këtë arsye, drejtimi duhet të jetë gjithmonë në duar të mira, profesionale dhe mbi të gjitha në duar që garantojnë transparencën. Për këtë arsye, se Kreshnik Bajraktari do të marrë një detyrë të re, stafetën do ta lërë një tjetër kolegu i mirë që unë e kam njohur në punë dhe njerëzit njihen në punë, thuhet e kam njohur vite më parë kur kemi qenë kolegë të dy qeverive. Ai drejtonte Ministrinë e Mjedisit, dhe ky është Liburn Aliu,, arkitekt në profesion, por me një karrierë të gjatë në politikë, me dy mandate deputeti në Parlamentin e Kosovës. Me një karrierë të gjatë në ekzekutiv, katër vite ministër, pra i Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastukturës dhe pa dyshim një koleg i mirë, i cili Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si një treg të përbashkët të zhvillimit ekonomik.”

Zonja Balluku i bëri këto deklarata gjatë prezantimit të drejtorit të ri të Autoritetit Portual, Liburn Aliu, ish ministër në qeverinë e Kosovës.

“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu dhe jam i nderuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë nga zv/kryeministrja Balluku për një detyrë që më është dhënë, që më është besuar dhe është mjaft sfiduese. Porti i Durrësit vërtet është porti i Republikës së Shqipërisë, është porti i gjithë shqiptarëve, është porti i rajonit, është porti që Kosova pothuaj pjesën dërrmuese të mallrave e merr përmes Portit të Durrësit. Mbase dhe këtu pothuaj gjysma e mallrave që shkojnë drejt Kosovës nëpër rrugën e Kombit, një pjesë e madhe shkon drejt Maqedonisë dhe është e domosdoshme që ky port të modernizohet në shkallën që të jetë sfidues, të jetë konkurrues në të gjithë rajonin,” tha Aliu.

 

Editorial