Lajme nga vendi

Fondi Besa siguron 8 mln euro borxh nga Triple Jump

Fondi Besa siguron 8 mln euro borxh nga Triple Jump

Fondi Besa ka siguruar 8 milionë euro borxh përmes një marrëveshjeje me menaxherin holandez të investimeve të qëndrueshme, Triple Jump.

Ky injektim i ri kapitali, i ndarë në 5 milionë euro nga fondi ASN Microkredietfonds dhe 3 milionë euro nga Global Gender-Smart Fund, do të shkojë kryesisht për të mbështetur zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla dhe fuqizimin e grave në biznes në zonat rurale dhe gjysmë-urbane të Shqipërisë.

Fondi Besa ka një portofl aktiv kredish prej 16.75 miliardë ose rreth 180 milionë euro të dhëna për bizneset dhe qytetarët shqiptarë. Sipas strukturës së përgjithshme të financimit sipas llojit të klientit, portofoli bruto i institucionit ndahet në dy shtylla kryesore.

Huadhënia me pakicë për konsumatorët zë peshën më të madhe në treg me një vlerë bruto prej 9.75 miliardë LEK, ndërsa kredia për bizneset kap një vlerë bruto prej 8.16 miliardë lek. Të dhënat tregojnë se shërbimet dhe tregtia zënë peshën kryesore të këtij portofoli.

Fondi BESA e mbylli vitin e kaluar me një fitim neto prej 248.7 milionë LEK (rreth 2.5 milionë euro), duke pësuar një rritje prej 11.2% krahasuar me vitin 2024 (ku fitimi ishte 223.6 milionë LEK).

Editorial