Lajme nga vendi

INSTAT: 40% e shqiptarëve vuajnë nga privimi i thellë material, rritet pabarazia

INSTAT: 40% e shqiptarëve vuajnë nga privimi i thellë material,

Gati 40 për qind e popullsisë shqiptare vuan nga privimi i thellë material dhe social, duke e pasur të pamundur të sigurojë nevojat më minimale të jetesës.

Ky tregues tronditës vjen nga raporti i fundit zyrtar i Institutit të Statistikave për vitin 2025, i cili ngre alarmin për një polarizim të frikshëm të shoqërisë dhe thellim të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve në vend. Shifrat dëshmojnë se popullsia në rrezik varfërie ose në përjashtim social ka mbetur në nivelin kritik prej 39,4%.

INSTAT: 40% e shqiptarëve vuajnë nga privimi i thellë material,

Kjo do të thotë se gati 4 në 10 qytetarë shqiptarë nuk përballojnë dot shpenzime elementare si mbajtja e shtëpisë ngrohtë, një javë pushime në vit, apo një faturë të paparashikuar prej 30 mijë lekësh.

Privimi masiv material ndodh në një kohë kur të ardhurat mesatare në Shqipëri janë rritur teorikisht me 10,5%. Kjo pasuri e re po përqendrohet në duart e një pakice, duke bërë që pabarazia sociale të njohë rritje të ndjeshme.

Rritet pabarazia
Koeficienti Gini, që mat shpërndarjen e pasurisë, kërceu brenda një viti nga 29,83% në 30,37%. Shpërndarja e pabarabartë e parave konfirmohet edhe nga raporti i kuintileve (S80/S20), i cili ka arritur në 4,83. Ky tregues zbulon se 20% e shqiptarëve më të pasur fitojnë sot gati 5 herë më shumë se 20% e qytetarëve më të varfër.

Hendeku ekonomik po zgjerohet me ritme më të shpejta te popullsia në moshë aktive për punë, ku pabarazia kërceu nga 5,05 për qind në 5,16 për qind. Rritja tregon se tregu i punës në Shqipëri po ndahet në dy ekstreme: një pakicë që përfiton paga shumë të larta në sektorë të privilegjuar dhe një masë e madhe punonjësish kahu apo shërbimesh që paguhen me paga minimale dhe po mbeten pas.

Ndërkohë, varfëria relative mbetet e bllokuar në nivele kronike, ku 19,0% e popullsisë jeton në rrezik të plotë varfërie, me një kufi zyrtar jetese prej vetëm 349.565 lekësh në vit për person.

Kriza e shpërndarjes së pasurisë po godet direkt familjet e mëdha dhe lindshmërinë në vend. Rreziku i varfërisë për familjet me fëmijë në ngarkim ka arritur në 24,5%, një shifër kjo më shumë se dy herë më e lartë se rreziku prej 11,0% që kanë familjet pa fëmijë.

Shifrat e INSTAT konfirmojnë se rritja ekonomike po shërben vetëm si një fasadë, pas së cilës fshihet një shoqëri që po polarizohet me shpejtësi, ku të pasurit pasurohen më tej dhe shtresa e mesme po zhduket drejt kufirit të varfërisë.

Editorial