Lajme nga vendi

E-Albania 2.0 nxjerr nga shinat Shqipërinë dixhitale

E-Albania 2.0 nxjerr nga shinat Shqipërinë dixhitale

Përmirësimi i platformës shtetërore të shërbimeve elektronike përmes ndërtimit të të ashtuquajturës e-albania 2.0 i ka kushtuar qytetarëve shqiptarë më shumë se 50 milionë euro duke qenë një nga investimet më të mëdha, jo vetëm në sektorin e teknologjisë së informacionit, por të gjithë projekteve buxhetore gjatë viteve të fundit.

Krijimi i sitit të ri e-Albania imponoi një paketë prej disa tenderash të majmë gjatë vitit 2024. Nga implementimi i e-Albania 2, tek platforma e ndërveprimit qeveritar dhe mikroshërbimet, fituesit e këtyre tenderave ishin të njëjtat kompani, që kanë dominuar AKSHI-n gjatë tre viteve të fundit, të cilat tashmë janë nëpër dosjet e SPAK.

Gati një javë më parë, e-Albania u inaugurua me bujë të madhe, edhe nga kryeministri Edi Rama. "Një hap i ri në transformimin digjital të shërbimeve publike në Shqipëri. Platforma e re vjen e ridizenjuar mbi një infrastrukturë tërësisht të modernizuar, për të ofruar një eksperiencë më të shpejtë për qytetarët dhe biznese," shkroi kryeministri në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale.

Por megjithë koston e madhe që paguan qytetarët shqiptarë për përmirësimin e e-Albanias, fillimi i saj ka rezultuar problematik. Shumë institucione thuajse janë bllokuar për shkak të problemeve të platformës kryesore elektronike të shtetit.

Kjo situatë po penalizon edhe bizneset. Kompanitë që kanë proçedura në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë paralizuar thuajse totalisht, pasi pavarësisht se kompanitë aplikojnë dhe bashkëlidhin dokumenta në aplikimet e tyre, këto dokumente nuk i shfaqen QKB-së duke pamundësuar regjistrimin e bizneseve të reja apo kryerjen e proçedurave të tjera.

Nga Kadastra, Tatimet, apo Agjencia e Zhvillimit të Territorit, të gjitha sistemet janë tilt. Praktikisht Shqipëria dixhitale ka dalë nga shinat, teksa sistemet nuk ndërveprojnë dot me e-Albanian.

Përditësimi i platformës bazë të shtetit sigurisht që është një investim madhor, jo vetëm në terma financiare, por edhe teknikisht. Sistemet e reja të këtyre përmasave mund të kenë probleme teknike në javët e para të instalimit. Por dyshimi është se sistemet e shtetit po shkojnë në kolaps edhe për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.

Në të kundërt, Shqipëria dixhitale merr peng ekonominë, siç po ndodh.

Editorial