Lajme nga vendi

Shoqata dënon dëmtimin e bankave gjatë protestave

Shoqata dënon dëmtimin e bankave gjatë protestave

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka dënuar ashpër sulmet dhe dëmtimet e shkaktuara ndaj degëve bankare dhe institucioneve financiare gjatë protestave të fundit në Tiranë. Përmes një reagimi zyrtar të enjten, shoqata iu bëri thirrje organeve kompetente të ndërhyjnë dhe të marrin masa urgjente për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

Sipas AAB-së, këto akte dhune janë plotësisht të papranueshme, pasi jo vetëm që cenojnë mbarëvajtjen e shërbimeve bankare, por vendosin në rrezik edhe sigurinë e drejtpërdrejtë të stafit dhe të klientëve.

Ky reagim vjen pas tre ditësh protestash të njëpasnjëshme në kryeqytet, ku studentë dhe të rinj po kërkojnë largimin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Tubimet janë shoqëruar me tensione të larta dhe përleshje me forcat e rendit, të cilat kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse për të shpërndarë turmat.

Si pasojë e trazirave, janë shënuar dëme në biznese, prona publike dhe private, përfshirë këtu edhe thyerjen dhe shkatërrimin e disa degëve të bankave.

Ndonëse AAB nënvizoi se respekton të drejtën legjitime të qytetarëve për të protestuar dhe shprehur revoltën e tyre, ajo këmbënguli se çdo tubim duhet të mbetet paqësor dhe brenda kufijve të ligjit.

Shoqata kërkoi që institucionet e sigurisë të garantojnë mbrojtjen e pronës dhe rendit publik, duke theksuar se paprekshmëria e bizneseve dhe siguria e njerëzve duhet të mbeten prioritete absolute në çdo situatë.

Editorial