
Dhomat Amerikane të Tregtisë së Ballkanit Perëndimor u takuan në Bruksel me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian dhe CEFTA-s për të diskutuar reformat, integrimin ekonomik dhe përafrimin me acquis të BE-së.
AmCham Albania u përfaqësua nga Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj, i cili theksoi rëndësinë e përcaktimit të qartë të prioriteteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në funksion të përshpejtimit të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian, si dhe të hartimit dhe zbatimit të politikave të qëndrueshme që mbështesin këtë proces.
Ndërkohë Marin Gjonaj nga Gjonaj Group Holdings ngriti problemin e taksës së karbonit për energjinë që shitet nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Menaxhimi i rregullave të taksës CBAM për energjinë e rinovueshme në fushën e shitjeve nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Europian është një çështje kritike. Përafrimi i marrëveshjeve të tregtisë dhe industrisë me BE-në janë shumë të rëndësishme për biznesin në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu koeficentët e CBAM të Ballkanit Perëndimor dhe aplikimi i verifkuesve të certifikuar nga BE është një domosdoshmëri, jo vetëm për sipërmarrjen por edhe për vetë ekonomitë kombëtare të rajonit," tha Gjonaj.

Marin Gjonaj dhe Neritan Mullaj
Taksa e karbonit është shndërruar në një problem serioz për prodhuesit shqiptarë të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Nga 1 janari i këtij viti çdo produkt i importuar në Bashkimin Europian, i cili prodhohet duke emetuar karbon duhet të paguajë një taksë si masë kompesimi për ndotjen. Në grupin e mallrave përfshihet dhe energjia elektrike.
Taksa, që është pjesë e të ashtuquajturit "Mekanizmi i Rregullimit Kufitar të Karbonit" ka si nivel bazë rreth 90 euro për megavat energjie që importohet në kufijtë e BE-së, pra më e lartë edhe se sa çmimi.

Por mekanizmi parashikon se vendet eksportuese mund ta zbusin ndejshëm taksën ndaj produkteve të tyre nëse blejnë certifikatat jeshile për të mbuluar karbonin ose nëse dëshmojnë se produktet e prodhuara vijnë nga burime të gjelbra. Në rastin e Shqipërisë, e cila thuajse të gjithë energjinë e saj e prodhon nga uji dhe dielli, taksa do të duhet të ishte e papërfillshme, afër zeros.
Por qeveria shqiptare, ashtu si çdo qeveri e vendeve të rajonit nuk presuan mjaftueshëm mbi Bashkimin Europian, që ky i fundit të përcaktonte koefiçentët përkatës për secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këta rast, Shqipëria është humbësja më e madhe, pasi energjia shqiptare do të duhet të kishte avantazh ndaj të gjitha vendeve të tjera.