
Një nga arsyet kryesore që i shtyn njerëzit të braktisin vendin e tyre dhe të emigrojnë jashtë është pritshmëria për të fituar më shumë të ardhura. Por realiteti në terren është rezulton shumë ndryshe nga pritshmëritë. Veçanërisht për emigrantët shqiptarë.
Banka Botërore thotë se emigrantët shqiptarë jashtë fitojnë deri në dy herë më pak të ardhura se sa pritshmëritë që kanë patur përpara se të emigrojnë si dhe arrijnë të kursejnë shumë më pak nga sa kishin menduar. Sipas BB, kjo është e vërtetë për të gjitha kategoritë e emigrantëve, pavarësisht nivelit të shkollimit apo të aftësive të tyre.
"Ekziston një mospërputhje midis pritjeve para nisjes së migrantëve shqiptarë dhe realitetit të përvojës së tyre të migracionit në aspektin e të ardhurave, shpenzimeve dhe kursimeve," vëren Banka Botërore.
Sipas raportit, për emigrantët e kthyer në vendlindje, pritshmëritë ishin që të fitonin mesatarisht 2839 dollarë në muaj në vendin e emigrimit. Por në fakt, të ardhurat mesatare të tyre kanë rezultuar 1678 dollarë në muaj ose 1.7 herë më pak.
Për ata që janë aktualisht në emigrim, zhgënjimi është edhe më i madh. Sipas BB, emigrantët aktualë prisnin që të fitonin mesatarisht 3922 dollarë në muaj, kur vendosën të emigrojnë. Por shifra faktike e të ardhurave që ata fitojnë është 2222 dollarë në muaj ose gati 1.8 herë më pak.

Zhgenjimi i emigranteve
Mospërputhja e pritshmërive dhe fitimeve reale pasqyrohet edhe tek shuma që emigrantët arrijnë të kursejnë. Sipas raportit, emigrantët e kthyer mendonin se do të kursenin mesatarisht 581 dollarë në muaj nga puna në emigrim. Por në fakt ata kanë arritur të kursejnë mesatarisht vetëm 300 dollarë në muaj gjatë qëndrimit të tyre në emigrim.
Për ata që janë aktualisht në emigracion, hendeku i zhgënjimit është edhe më i madh. Sipas raportit, emigrantët aktual shpresonin të kursenin mesatarisht 1273 dollarë në muaj, por arrijnë të kursejnë vetëm 446 dollarë në muaj ose gati 2.9 herë më pak.
"Ekziston një hendek i konsiderueshëm midis të ardhurave të parashikuara dhe atyre aktuale në të gjitha nivelet e arsimit," konstaton raporti duke theksuar se zhgënjimi prek jo vetëm emigrantët e pashkolluar, por edhe profesionistët e mirëshkolluar.
"Emigrantët me arsim të lartë presin që të fitojnë mesatarisht 3542 dollarë në muaj, por fitojnë në të vërtetë 2105 dollarë ose 41 për qind më pak," thekson Banka Botërore.
Këto mospërputhje qëndrojnë për çdo destinacion emigrimi nga Greqia deri në SHBA, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar. Emigrantët gjithmojnë fitojnë dhe kursejnë shumë më pak nga sa kanë pritur kur marrin vendimin për të emigruar.

Pritshmerite vs realiteti sipas vendeve te destinacionit
"Pritjet e papërputhshme mund të ndikojnë gjithashtu në vendimet për migrim, dhe mospërmbushja e këtyre pritshmërive mund të çojë në rezultate negative si për migrantët ashtu edhe për vendet e destinacionit, si dhe pas kthimit të tyre në Shqipëri,' përfundon raporti.
Në fakt, emigrimi është një proçes me kosto. Sipas të dhënave të raportit, emigrantët shpenzojnë mesatarisht dy muaj të ardhura për të mbërritur në vendin ku emigrojnë dhe një pjesë e tyre e financojnë shpenzimet përmes huamarrjes tek miqtë ose nga kursimet e tyre.