
Shqipëria do të shpenzojë 7.9 miliardë euro për investime në infrastrukturën e Transportit deri në vitin 2030. Sipas strategjisë së Transportit të miratuar nga qeveria, këto para do të shkojnë për ndërtimin e linjave hekurudhore dhe disa akseve të rëndësishme rrugore, pjesë e Korridorit 8 apo Korridorit tjetër Adriatiko-Jonian.
Por cilat janë projektet publike që do të ndërtohen?
Sipas strategjisë në vend të parë, qëndron hekurudha Durrës-Prishtinë. E programuar të kushtojë plot 750 milionë euro, linja hekurudhorë që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, është paarashikuar të përfundojë në vitin 2030. Ky afat duket shumë optimist për shkak se puna për ndërtimin e hekurudhës së Kombit nuk ka filluar në asnjërën në dy anët e tij, as në Shqipëri dhe as në Kosovë, ndonëse të dy qeveritë janë angazhuar se ndërtimi i saj do të fillojë sa më shpejtë.
Në vendin e dytë të projekteve të transportit për nga kostoja renditet aksi rrugor nga Poçemi i Fierit në Memaliaj. Pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, kjo rrugë prit të kushtojë 597 milionë euro dhe po ashtu është parashikuar të përfundojë deri në 2030-ën.
Projekti i tretë më i kushtueshëm është një tjetër linjë hekurudhore. Bëhet fjalë për rehabilitimin e hekurudhës Rrogozhinë-Pogradec-Rrajcë deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Ky investim është programuar të kushtojë 541 milionë euro dhe është parashikuar të përfundojë në vitin 2032.

Dy projekte të tjera të Korridorit Adriatiko Jonian, autostrada Milot Balldrenë, e cila është tenderuar tashmë dhe pritet shpallja e fituesit dhe zgjatimi tjetër deri në Murriqan janë respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë me një kosto totale prej mbi 1 miliardë eurosh.
Qeveria ka vendosur që një pjesë e kostos për ndërtimin e akseve rrugore të mos mbahet nga buxheti i shtetit, por të financohen nga privatët përmes koncesioneve. Ndërsa në rastin e linjave hekurudhore, burimet e financimit do të jenë kryesisht fondet nga Bashkimi Europian ose bankat e zhvillimit.
Gjithsesi, në një formë apo një tjetër shqiptarët do të duhet të paguajnë miliarda euro gjatë viteve në vijim për investimet në infrastrukturë.