Lajme nga vendi

Infosoft Systems pezullon sërish tenderin e Thesarit, saga 1-vjeçare nuk ka fund

Infosoft Systems pezullon sërish tenderin e Thesarit, saga 1-vjeçare

Saga gati njëvjeçare për tenderin e Thesarit duket se nuk ka fund. Pas 6 vendimesh të KPP, një ankesë e re e depozituar këtë të enjte nga Infosoft Systems e Armand Sharrës dhe Bledar Dhimës, ka pezulluar sërish procedurën prokuruese për mirëmbajtjen e sistemit kritik shtetëror dhe blerjen e licencave Oracle për Ministrinë e Financave.

Tenderi me fond limit 207.7 milionë lekë ose 2.25 milionë euro u shpall për herë të parë nga AKSHI më 22 tetor të vitit të kaluar. Gara ishte parashikuar që të zhvillohej fillimisht më datë 25 nëntor 2025.

Sot, pothuajse një vit pas afatit të parë, ky proces po shndërrohet në një prej më të zvarriturve në vend, duke u bllokuar sërish në një rreth vicioz përplasjesh ligjore.

Një vit bllokim
Dokumentet e historikut administrativ dëshmojnë se ky tender ka kaluar nëpër faza të njëpasnjëshme dhe të stërgjata bllokimi. Komisioni i Prokurimit Publik e kishte pezulluar më parë disa herë rresht vijimin e procedurës përmes vendimeve, pasi konstatoi se AKSHI nuk kishte reflektuar plotësisht ndryshimet e urdhëruara ligjore dhe teknike.

Pikëpjekja kryesore e kësaj beteje administrative lidhet me kriteret e sigurisë, ku operatori ekonomik "Data Log" SHPK ka kontestuar në mënyrë të përsëritur kërkesat për pajisjen e stafit me certifikata sigurie personale (CSP) dhe praninë e një Oficeri të Sigurisë Industriale (OSI).

Këto kritere u rrëzuan edhe nga Gjykata Administrative e Apelit me Vendimin Nr. 38, datë 01.04.2026, e cila i shpalli ato të jashtëligjshme për shkak se sistemi trajton të dhëna financiare publike të paklasifikuara.

Pas muajsh të tërë ngatërresash, KPP mori një vendim përfundimtar në fundit të gushtit. Në këtë vendim, Komisioni vlerësoi se AKSHI kishte reflektuar më në fund vendimet e mëparshme administrative duke dhënë sqarimet e nevojshme në termat e referencës dhe duke ezauruar ankesat e operatorëve.

Për rrjedhojë, KPP vendosi të rrëzonte ankesën e "Data Log" SHPK dhe t'i hapte dritën jeshile autoritetit kontraktor për të vazhduar me hapat e mëtejshëm të shpalljes së fituesit dhe lidhjes së kontratës.

Por sapo tenderi u duk se u zhbllokua ka ardhur ankesa e radhës duke e futur sërish kalvarin e gjatë të tenderit në një rrugë pa krye.

Editorial