Lajme nga vendi

IPARD III, Qeveria: Mbyllëm procedurat, presim vendimin e KE për 146 milionë euro

IPARD III, Qeveria: Mbyllëm procedurat, presim vendimin e KE për 146

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe procedurat ligjore në kuadër të programit IPARD III dhe tashmë pritet vendimi i Komisionit Evropian për lëshimin e fondeve.

“Kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe të gjitha procedurat ligjore që na takojnë në bashkëpunim me Brukselin dhe Ministrinë e Financave, përmes MBZHR dhe AZHBR. Kemi çuar të gjithë dokumentacionin dhe mbetet në vlerësimin e Komisionit për ta vijuar me një hap tjetër. Ky është hapi i fundit që ne kemi kryer dhe presim përgjigjen e tyre për të vijuar procedurat ligjore”, u shpreh Salla.

Salla tha se IPARD III përbën një mundësi të rëndësishme financimi për fermerët shqiptarë, me një fond prej 146 milionë eurosh, i cili synon nxitjen e investimeve në standardet europiane, rritjen e sigurisë ushqimore dhe modernizimin e sektorit bujqësor.

Sipas ministrit, programi është i strukturuar në mënyrë që të mos mbivendoset me Skemën Kombëtare të Mbështetjes, por të ofrojë mundësi shtesë për fermerët sipas nevojave të tyre investuese.

“Këtë e kemi bërë për t’u dhënë akses të gjithë fermerëve, qoftë nga skema kombëtare, qoftë nga IPARD III”, deklaroi Salla.

Në 22 prill, Ministria e Financave përmbylli përgatitjen e paketës së akreditimit për Programin IPARD III, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aksesimit të fondeve të Bashkimit Evropian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale. Paketa e dorëzuar përfshin kërkesën për besimin e detyrave të zbatimit buxhetor, të shoqëruar me prova të detajuara mbi përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

Dorëzimi i kësaj pakete përbën një moment kyç në përgatitjet për çeljen e fondeve të IPARD III, e cila synohet të realizohet gjatë vitit 2026.

Në vijim, procesi do të hyjë në fazën e vlerësimit nga shërbimet e Komisionit Evropian (DG AGRI), që përfshin analizën e detajuar të dokumentacionit dhe verifikime të mundshme në terren. Kjo fazë parashikohet të zhvillohet gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Editorial