Lajme nga vendi

Nafta dhe mineralet fshehin krizën/ Eksportet rriten, por manifaktura zhytet me thellë në krizë

Nafta dhe mineralet fshehin krizën/ Eksportet rriten, por manifaktura

Eksportet u rritën me 14,8 % në Shtator 2026, duke kapur vlerën e 31,2 miliardë lekëve, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Megjithatë, pas këtij shifre optimiste fshihet një realitet me dy fytyra: një hov i madh i sektorit nxjerrës dhe energjetik, përballë një rënieje dramatike të industrisë përpunuese tradicionale.

Rritja e eksporteve gjatë këtij muaji ka ardhur pothuajse tërësisht nga nëntoka. Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” ka qenë motori kryesor, duke dhënë një kontribut historik prej +12,8 pikë përqindje në rritjen totale.

Nafta dhe mineralet fshehin krizën/ Eksportet rriten, por manifaktura

Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka rritur vlerën e eksporteve të arit të zi, teksa Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, është duke arkëtuar miliarda nga kriza.

Pa shitjen e naftës, mineraleve dhe energjisë elektrike, bilanci tregtar i vendit do të kishte mbetur në vendnumëro ose në rënie. Një ndikim pozitiv, por më të moderuar, dhanë edhe "Materialet e ndërtimit dhe metalet" me +3,4 pikë përqindje.

Manifaktura thellon krizën
Në krahun tjetër të medaljes, sektori i manifakturës—i njohur si industria fason—po kalon ditë të vështira. Grupi "Tekstile dhe këpucë", i cili për vite me radhë ka qenë punëdhënësi dhe eksportuesi më i madh në vend, goditi negativisht eksportet me -5,5 pikë përqindje.

Kjo rënie konfirmon krizën e thellë strukturore që po kalon ky sektor, i prekur nga rritja e kostove të punës, mungesa e fuqisë punëtore dhe mbiçmimi i monedhës vendase, çka po i bën produktet "Made in Albania" më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

Kjo krizë e industrisë reflektohet edhe në rënien e eksporteve drejt Italisë (-4,0 %), partnerit tradicional historik të fasonerive shqiptare. Ndërkohë, tregjet e reja si Kosova (+22,5 %) dhe Greqia (+13,9 %) po shërbejnë si valvul shkarkimi për produktet e tjera.

Deficiti tregtar ngushtohet lehtë
Nga ana e blerjeve, importet kapën vlerën e 78,6 miliardë lekëve, me një rritje të lehtë prej 4,8 %. Si pasojë e rritjes më të shpejtë të eksporteve, deficiti tregtar pësoi një rënie të lehtë prej 0,9 % krahasuar me Shtatorin e vitit 2025, duke u ndalur në vlerën e 47,3 miliardë lekëve.

Ecuria e Shtatorit 2026 ngre sërish këmbanat e alarmit për ekonomistët: Shqipëria po zhvendos peshën e saj drejt eksportit të lëndëve të para (minerale dhe naftë), duke humbur terren në industrinë me vlerë të shtuar, çka e bën ekonominë më të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve në bursa.

Editorial