Bankat tregtare vijojnë të zbatojnë masa të posaçme sigurie, duke mbajtur të mbyllura një pjesë të degëve fizike në Tiranë dhe duke kufizuar oraret e shërbimit në disa të tjera. Situata vjen pas përshkallëzimit të protestave të ditëve të fundit, të shoqëruara me akte dhune, dëmtime të pronës publike dhe private, si dhe sulme ndaj disa degëve bankare dhe bankomateve.
Përmes njoftimeve të publikuara në kanalet zyrtare të komunikimit, nëntë banka tregtare kanë informuar klientët për ndryshimet në funksionimin e rrjetit të tyre të degëve për këtë të hënë.
Masat përfshijnë mbylljen e plotë të disa degëve, reduktimin e orareve të shërbimit deri në mesditë, si dhe orientimin e klientëve drejt platformave të bankingut digjital dhe bankomateve.
Nga njoftimet rezulton se kufizimet prekin kryesisht degët që ndodhen në zonat qendrore të kryeqytetit, përfshirë Bllokun, Bulevardin Zogu I, rrugën e Kavajës, rrugën e Durrësit, Myslym Shyrin dhe zona të tjera me aktivitet të lartë tregtar dhe financiar.
BKT mbyll 12 degë në Tiranë
Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka njoftuar mbylljen e 12 degëve për datën 19 tetor 2026, duke u renditur ndër bankat me numrin më të madh të degëve të prekura nga masat kufizuese.
Degët që nuk do të ofrojnë shërbim janë: Hoxha Tahsim, Piazza, Stacioni i Trenit, Don Bosko, Rruga e Durrësit, Mustafa Qemal Ataturk, Myslym Shyri, Ismail Qemali, Abdyl Frashëri, Ibrahim Rugova, Shkolla e Baletit dhe Rruga e Elbasanit.
BKT u rekomandon klientëve përdorimin e kanaleve digjitale Smart BanKomaT, BKT Smart dhe Degës Internet 24/7 për kryerjen e veprimeve bankare.
Raiffeisen Bank mbyll 5 degë
Edhe Raiffeisen Bank ka njoftuar mbylljen e pesë degëve në Tiranë për datën 19 tetor.
Degët që do të qëndrojnë të mbyllura janë ato në rrugën e Kavajës, Bllokun e Ambasadave, ETC, Bulevardin Zogu I dhe rrugën e Durrësit.
Banka sqaron se të gjitha degët e tjera do të vijojnë të funksionojnë normalisht.
Klientët ftohen të përdorin shërbimet digjitale për kryerjen e veprimeve bankare, ndërsa çdo ndryshim i mëtejshëm do të komunikohet përmes kanaleve zyrtare.
OTP Bank, 2 degë të mbyllura dhe 8 të tjera me orar të reduktuar
OTP Bank Albania ka njoftuar se dy degë në Tiranë do të qëndrojnë të mbyllura gjatë ditës së hënë.
Bëhet fjalë për degët Twin Towers dhe Myslym Shyri.
Ndërkohë, tetë degë të tjera do të ofrojnë shërbim vetëm deri në orën 12:00. Ato janë Downtown, Private Banking, Blloku, Bulevardi Zogu I, Karl Topia, Stacioni i Trenit, Blloku i Ambasadave dhe Laprakë.
Sipas njoftimit, degët e tjera të OTP Bank do të qëndrojnë të hapura deri në orën 15:30.
Banka u kërkon klientëve të përdorin kanalet digjitale për veprimet që nuk kërkojnë domosdoshmërisht paraqitjen fizike në degë.
Credins Bank kufizon oraret në 6 degë, një tjetër mbetet e mbyllur
Credins Bank ka vendosur të reduktojë orarin e shërbimit deri në orën 13:00 në gjashtë degë të Tiranës.
Këto janë degët në Bllok, pranë 21 Dhjetorit, në Bulevardin Zogu I, pranë Harry Fultz, pranë kryqëzimit të Unazës me rrugën e Elbasanit dhe në rrugën Myslym Shyri.
Ndërkohë, dega pranë Ushtarit të Panjohur do të qëndrojë e mbyllur.
Për kryerjen e veprimeve bankare, klientët mund të përdorin Credins Online ose degët e tjera që vijojnë të ofrojnë shërbim.
Intesa Sanpaolo Bank mbyll 5 degë në kryeqytet
Intesa Sanpaolo Bank Albania ka njoftuar se pesë degë të saj në Tiranë nuk do të ofrojnë shërbim më 19 tetor.
Degët e mbyllura janë: Dega Qendrore, në rrugën Ismail Qemali, dega në rrugën e Barrikadave, dega në rrugën e Kavajës, dega në rrugën e Elbasanit dhe dega Zogu I.
Kufizimet prekin disa nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, ku janë përqendruar edhe një pjesë e zhvillimeve të ditëve të fundit.
ABI Bank, 8 degë me shërbim deri në orën 12:00
Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) ka njoftuar se, në vijim të masave për garantimin e sigurisë së klientëve dhe punonjësve, tetë degë do të ofrojnë shërbim vetëm deri në orën 12:00.
Degët e prekura janë ato në rrugën e Kavajës, Pazarin e Ri, Myslym Shyri, Samos Tower, Downtown One, Zogu i Zi, 21 Dhjetori dhe Stacioni i Trenit.
Banka u rekomandon klientëve që, pas përfundimit të orarit të reduktuar, të drejtohen te degët e tjera të hapura ose të përdorin rrjetin e ATM-ve dhe platformën ABI Online Banking.
Fibank, 2 degë të mbyllura, pjesa tjetër në shërbim
Fibank Albania ka njoftuar se rrjeti i degëve do të vijojë të ofrojë shërbim gjatë datës 19 tetor, me përjashtim të dy degëve në Tiranë.
Të mbyllura do të jenë dega pranë Kullave Binjake dhe dega pranë Fakultetit të Shkencave.
Degët e tjera të bankës do të vijojnë aktivitetin, sipas njoftimit të publikuar.
Union Bank mbyll 3 degë në Tiranë
Union Bank ka njoftuar mbylljen e tri degëve në kryeqytet për datën 19 tetor.
Bëhet fjalë për degët Shallvare, Piazza dhe Toptani.
Banka i fton klientët të përdorin aplikacionin Union Bank për kryerjen e veprimeve bankare.
Gjithashtu, Union Bank njofton se klientët mund të kryejnë tërheqje cash pa komision në rrjetin e ATM-ve në Shqipëri, përfshirë edhe bankomatet e bankave të tjera.
ProCredit Bank vijon normalisht shërbimin në të gjitha degët
Ndërkohë, ProCredit Bank Albania ka njoftuar se të gjitha degët dhe agjencitë e saj në Tiranë dhe qytetet e tjera do të funksionojnë normalisht këtë të hënë.
Në Tiranë, shërbimi vijon në agjencitë Bulevardi Zogu I (Zona 24/7), Zyrat Qendrore, Ish-Bllok, Rruga e Dibrës dhe Rruga e Kavajës.
Ndërkohë, aktiviteti vijon normalisht edhe në degët dhe agjencitë në Shkodër, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Vlorë.
Banka njofton se shërbimet mbeten të aksesueshme edhe përmes kanaleve digjitale dhe zonave të vetëshërbimit 24/7.
Shërbimet digjitale, alternativa kryesore për klientët
Mbyllja e përkohshme e degëve fizike dhe kufizimi i orareve të shërbimit po e zhvendosin një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit bankar drejt kanaleve digjitale.
Pothuajse të gjitha bankat që kanë njoftuar masa kufizuese u kanë kërkuar klientëve të përdorin aplikacionet mobile, internet banking dhe rrjetin e bankomateve për veprimet e përditshme.
Kjo situatë vjen në një periudhë kur sektori bankar po përballet me pasojat e protestave dhe problematikat e sigurisë në disa prej zonave më të rëndësishme tregtare të Tiranës.
Në një deklaratë të mëparshme, Shoqata Shqiptare e Bankave konfirmoi se disa degë dhe bankomate ishin dëmtuar gjatë protestave, ndërsa bankat kishin reduktuar përkohësisht aktivitetin fizik për të mbrojtur klientët dhe punonjësit.